Aeroporti i Vlorës padit qeverinë në Arbitrazhin e Londrës, kundërshton zgjidhjen e kontratës
Vlora International po përgatit padi në Arbitrazhin e Londrës për të bllokuar zgjidhjen e kontratës koncesionare.
Kompania koncesionare që po ndërton Aeroportin e Vlorës po përgatit një padi kundër qeverisë shqiptare në Gjykatën e Arbitrazhit të Londrës. Ndryshe nga arbitrazhet e tjera të ngritura ndaj Shqipërisë, kjo padi nuk lidhet me një kërkesë për kompensim apo pagesë dëmesh. Kapitali ka mësuar se Vlora International Airport (VIA) do t'i drejtohet gjykatës për të kërkuar bllokimin e prishjes së kontratës koncesionare, përmes një mase sigurimi mbi njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës për zgjidhjen e kontratës.
Aktualisht VIA drejtohet nga Vegim Hoxha, administrator i vendosur nga kompania 2A Group e Valon Ademit, pas ngrirjes së aksioneve të Mabco nga gjykatat. Edhe pse Gjykata e Lartë vendosi në fund të majit për zhbllokimin e 51% të kuotave të Mabco, pak ditë më vonë Gjykata e Shkallës së Parë bllokoi Mabco që të ndryshonte administratorin e kompanisë koncesionare dhe statutin e saj.
Ndërkohë, Mabco ka paralajmëruar në më shumë se një rast se mund t'i drejtohet arbitrazhit për të kërkuar dëmshpërblim nga qeveria shqiptare për prishjen e kontratës, duke përfshirë edhe fitimet e munguara të parashikuara në planin e biznesit të koncesionit. Megjithatë, gjatë kohëve të fundit, pronari i saj Behgjet Pacolli i ka bërë thirrje qeverisë, përmes postimeve në rrjetet sociale, që mosmarrëveshja të zgjidhet me mirëkuptim.
Përplasja shkresore për zgjidhjen e koncesionit
Kontrata koncesionare parashikon në nenin 21 disa klauzola që trajtojnë rastet e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes palëve. Në paragrafin e parë përcaktohet se palët do të përpiqen të gjejnë një zgjidhje me mirëkuptim kur lindin mosmarrëveshje. “Palët do të bëjnë përpjekje të arsyeshme për të zgjidhur me mirëbesim çdo mosmarrëveshje që rrjedh nga apo lidhet me këtë Kontratë (përfshirë çdo pretendim për ekzistencën, vlefshmërinë ose zgjidhjen e saj)”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 21.
Burime nga Ministria e Infrastrukturës thonë se shoqëria koncesionare e Aeroportit të Vlorës e ka aktivizuar nenin 21 të kontratës që në fund të qershorit, përmes një shkrese zyrtare. “Duke qenë se nga shkresa juaj rezulton ekzistenca e një mosmarrëveshjeje të mirëfilltë mbi interpretimin dhe zbatimin e kontratës, VIA me këtë shkresë, aktivizon gjithashtu mekanizmin e nenit 21.1 të Kontratës dhe kërkon që palët të takohen në mirëbesim brenda afatit kontraktual për të shqyrtuar dhe zgjidhur këtë mosmarrëveshje”, thuhet në shkresën që VIA i dërgoi Ministrisë së Infrastrukturës pasi ministria paralajmëroi zgjidhjen e kontratës.
Qeveria refuzoi aktivizimin e nenit 21
Ministria e Infrastrukturës nuk e mori parasysh këtë mekanizëm, duke argumentuar se çështja nuk mund të trajtohej si një mosmarrëveshje kontraktore në kuptim të nenit 21. “Përpjekja për ta trajtuar këtë çështje si mosmarrëveshje kontraktore në kuptim të nenit 21 të Kontratës nuk gjen mbështetje, pasi nuk mund të cilësohet si mosmarrëveshje një pretendim që bie ndesh me aktet kontraktore, deklarimet e vetë Shoqërisë Koncesionare, raportimet zyrtare, punimeve të konfirmuara nga Inxhinieri i Pavarur, si dhe me evidencat faktike dhe dokumentare të administruara gjatë zbatimit të kontratës”, thuhet në përgjigjen e qeverisë në fund të muajit korrik.
Një javë më pas, Ministria e Infrastrukturës njoftoi zyrtarisht se kishte aktivizuar procedurën për zgjidhjen e kontratës së koncesionit për Aeroportin e Vlorës. Tashmë VIA do t'i drejtohet Arbitrazhit të Londrës për të kërkuar ndalimin e zgjidhjes së kontratës. Për këtë kërkesë, gjykata duhet të marrë një vendim brenda një muaji e gjysmë.
Burimi: Shqiptarja
Më të lexuarat






k.jpg)